Dosjen e shumëpërfolur për arrestimin apo jo të ish- ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri e kanë përpiluar 3 prokurorët nga veriu i Shqipërisë, të cilët bënë edhe prezantimin gjatë ditës së djeshme në Komisionin e Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit.
Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Gentian Osmani janë prokurorët që kërkojnë të vendosin në pranga ish-ministrin Tahiri, por gjatë ditës së djeshme u përfol se të tre këta kanë lidhje farefisnore me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Por në një reagim për këtë temë zëdhënësja e ish-kryeministrit Sali Berisha, Erla Mëhilli shkruan se nuk ekziston asnjë lidhje farefisnore apo e çdo lloji tjetër midis ish-kryeministrit Berisha dhe djalit të tij dhe prokurorëve të çështjes së Sajmir Tahirit.
Deklarata e zëdhënëses së ish-kryeministrit Berisha:
Sot, mediat e kontrolluara nga Edi Rama kanë shpërndarë një trillim banal të tij, i cili në një panik të papërmbajtur ka gjetur si mburojë për Sajmir Tahirin një shpifje dhe trillim bajat, sipas të cilit prokurorët e çështjes “Tahiri” janë kusherinj të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe djalit të tij, Shkëlzen Berisha.
Lidhur me sa më sipër, i sqaroj opinionit publik me përgjegjësi të plotë se nuk ekziston asnjë lidhje farefisnore apo e çdo lloji tjetër midis ish-kryeministrit Berisha dhe djalit të tij dhe prokurorëve të çështjes së Sajmir Tahirit.
Por ky trillim dëshmon qartë dhe një herë tmerrin që ka kapur kupolën e narko-shtetit në Shqipëri!





