“Më rreh gruaja! Ka një vit e gjysëm që më ka përzënë nga shtëpia, ku jeton me dy djemtë. Më ka degjeneruar në publik, më ka lënë jashtë banesës, nuk kam asnjë mundësi ku të shkoj të strehohem dhe të qëndroj. Ato që ajo thotë në media nuk janë të vëerteta, por e bën me qëllim që të më mbajë mua larg prej fëmjëve dhe prej banesës, që e kemi përfituar së bashku. Ish-gruaja ka mashtruar opinionin publik, gjykatën dhe policinë, të gjithë i ka mashtruar me qëllimin e vetëm që të më mbajë mua larg!”

Kështu deklaron për DurrësLajm, Fatmir Murrizi, ish-bashkëshorti i Bukurie Murrizit (në foton poshtë), 44-vjeçares e cila po rrit dy djem me aftësi ndryshe, në banesën sociale të dhënë nga bashkia Durrës. 

Fatmiri tregon se ka dy urdhra mbrojtje nga ish-gruaja, sepse është ajo që ushtron dhunë ndaj tij, por institucionet i kanë dhënë asaj të drejtë, pa marrë parasysh asnjë kërkesë të ish-bashkëshortit.

Fatmir Murrizi deklaron se 17 vjet më pare, kur është martuar me ish-bashkëshorten, ka patur në pronësi disa dyqane, të cilët i shitën për të kuruar djaln e madh me sëmundjen e rëndë të hidrocefalisë, por paratë u mbaruan dhe djali nuk u shërua. Pasi u mbaruan paratë nisi edhe sherri.

Ai tregon se do të qëndrojë pranë djemve. Gjykata i ka dhënë të drejtë të jetojë në një prej dhomave të banesës sociale por ish-gruaja nuk e lejon të jetojë në të njëjtën çati me tre anëtarët e tjerë të familjes.

Ai nuk punon, nuk ka banesë, por fle ku ta zërë nata, nuk ka të ardhura, dhe nuk ka mundësi as të shikojë djemtë.

Gjykata e faktit në Durrës, pas divorcit, i ka dhënë të drejtë të jetojë në një prej dhomave të shtëpisë sociale që kanë përfituar, por aty nuk mund të jetojë pasi ish-bashkëshortja Bukuria sa herë që përmbarimi u troket në derë për të ekzekutuar vendimin, deklaron se do të kryjë vetëvrasje duke u hedhur nga kati i tretë i apartamentit ku jeton me djemtë.

Në datë 20 korrik të këtij viti, në një prononcim për DurrësLajm, Bukurie Murrizi kërcënoi se do të hidhej nga kati i tretë i apartamentit, nëse ish-bashkëshorti i kthehej në shtëpi.

K.H.