Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në intervistën e tij për gazetën serbe “Novosti”, ka folur edhe për dialogun e brendshëm për Kosovën, dhe komentoi zgjidhjen e problemeve ndërmjet dy shteteve.
Ai tha se zgjidhja përfundimtare e problemit me Kosovën, kërkon kompromise të dhimbshme nga të dyja vendet. “Kjo është zgjidhje e ndryshme nga të tjerat. Këtu kërkohen kompromise të dhimbshme nga të dyja anët. Është reale që ne do të dalim me propozimin për Kosovën në mars të vitit të ardhshëm”, tha presidenti serb, transmeton ‘lajmi.net’.
Në lidhje me dialogun, ai tha se do të dëgjojë edhe kërkesat dhe formulën e partnerëve të shtetit të Serbisë. “Unë dua të dëgjoj se çfarë mendojnë njerëzit për këtë problem. Ne nuk jemi vetëm në këtë dialog. SHBA, Rusia, Kina dhe gjithashtu edhe BE-ja janë duke u përfshirë. Shqiptarët gjithashtu do të pyeten”, deklaroi Vuçiç. Ai komentoi edhe deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Haradinaj se SHBA-ja duhet të përfshihet në dialogun Prishtinë-Beograd.
“Sa i përket kësaj, BE është ndërmjetësi kryesor. Ndonëse ne e respektojmë rolin e Amerikës, çdo ndryshim formati do të bëhej vetëm me pëlqim të Serbisë”, deklaroi ish-kryeministri i Serbisë. Vuçiç e konfirmoi edhe një herë se letra e protestës për BE-në në lidhje me rastin e Katalonisë dhe Kosovën, është stopuar me kërkesën e Spanjës. “BE-ja donte që ne të mos e dërgonim letrën, por ishte edhe Spanja ajo që na kërkoi të mos e bëjmë këtë. Ne hoqëm dorë, sepse Madridi është shum i afërt për ne”, përfundoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.