Janë mbyllur qendrat e votimit për zgjedhjet lokale 2017 në Maqedoni. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 17:00, pjesëmarrja në votime ishte 49.02%.
Gjithsesi KSHZ njoftoi se për rezultatet e para duhet pritur deri afër mesnatës.
Procesi i votimit u zhvillua nën një atmosferë të qetë në 3 480 qendra, por nuk munguan as incidentet, siç ishte ai në komunën Butel, pranë Shkupit ku disa persona u përplasën fizikisht.
Beteja kryesore ishte mes dy blloqeve politike maqedonase LSDM e Zoran Zaev dhe VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit.
Këto zgjedhje cilësoheshin si një test i rëndësishëm për kryeministrin aktual Zoran Zaev, që prej procesit të fortdebatuar të vitit të kaluar që u pasua nga ngjarja në parlamentin maqedonas, ku deputetët shqiptarë rrezikuan jetën.