Nga Kozeta Kurti
Unë kam kohë që s’dua të ta shoh bojën në televizor ty!
Prit, nuk jam kaq trime. Nuk e kam me ty që drejton formate televizive, se ndryshe do pres ndonjë dush të ftohtë vetë dhe s’kam këllqe ta përballoj të ftohtin, por e kam me ata që fton ti. Ato s’dua ta shoh me sy, sepse më neveritet kur gjykojnë mbi këngën e nuk njohin asnjë notë, gjykjonë mbi tekstin e s’kanë lexuar as statuset e facebook-ut. (e kam me provë se është e pamundur që një shkrimi me 40 rreshta t’i japësh like për një second pas publikimit. Nuk ke kohë fizike të lexosh). S’dua të shoh me sy atë që gjykon interpretimin, ndërkohë që s’ka shkuar kurrë në një shfaqje teatri; e kam me ata që flasin për moralin e bëjnë moral, ndërkohë që e di gjithë Tirana që janë më të pamoralshmit që mban ky qytet; e kam me ata që flasin për lirinë e rrezikun e kompromiseve, ndërkohë që kompromisi u është shndërruar në llagap të dytë; e kam me ata që flasin kujtojnë se media është pronë e tyre dhe mund të sillen me publikun siç kanë qejf ata; e kam me ata që u thonë vetes artistë, e nuk kanë krijuar që në kohë të Skënderbeut… me ata e kam unë.
Më vjen ta marr atë pultin e televizorit e t’ju fshij përgjithmonë, t’ju zhduk të gjithëve e vendin tuaj ta zërë ai endacaku I Elbasanit që kishte intervistuar Turjan Hyska që fle rrugëve, por e zgjedh lëmoshën dhe ndihmën, nuk ha yndyrna e ëmbëlsira, por perime…më mirë pak, por saktë…nuk ka televizor, as telefon, as internet, por është i informuar se lexon gazeta; pas pisllëkut të tij disa vjeçar fshihet dija e kultura pë politikën e brendshme e të jashtme, dhe mbi të gjitha, pas mjekrrës e flokëve të tij të palarë e të pakrehur prej kushedi sa vitesh, fshihet dashuria për këtë vend që s’është se I ka dhënë ndonjë gjë të madhe dhe mbi të gjitha për jetën. Na le I dashuri e përsërisim mëngjes, drekë, darkë: “jam bërë për të vrarë veten”, na heqin nga puna dhe ulërasim: “jam bërë për të vrarë veten” dhe pasi të kanë shkuar ndërmend të gjitha këto, të vjen Avniu që ta kërcet në shpullë, sepse ka të gjitha arsyet e botës për të mos edashur jetën, por është më I forti se të gjithë, sepse e merr atë si t’I vijë. E pra, këtë dua unë të shoh në televizor, që kur të me lërë I dashuri, të mos e them as në ëndrrat e e mia më të shkrurtra: jam bërë për të vrarë veten, sepse më motivon Avniu që s’ka nevojë për psikolog, as nutricionist…asgjë.
Dua të shoh Gersin, atë notarin me Sindromën Down që është i gjashti në Europë e nuk dorëzohet (ndërkohë qe ende në 2017-ën, ka mendime për t’i izoluar se na i sheh komshiu) që t’i japë forcë e të motivojë fëmijës sime, kur t’i thotë mësuesja: sa i ngathët je në matematikë. S’ke për t’u bërë ndonjëherë ti…Dua të shoh atë trajnerin e tij që e stërvit pa kushte, pa asnjë pretendim financiar, sepse ai më bën mua të besoj që në këtë botë s’janë shuar ende njerëzit me shpirt e me zemër, që e shohin tjetrin si proshutë, ku ta hanë e ta përypin të gjallë.
Dua të shoh duart e thara të asaj gruas që ti moj zonjë I bërtet nga zyra jote me kondicioner se si duhet të sillet po e dhunoi burri. Dua të shoh atë, jo ty! Ti po deshe, merr rugën dhe shko atje e shpjegoja si duhet të reagojë kur të ndjehet e dhunuar. Zbrit nga kali një herë, pastaj flasim sërish.
Unë s’dua të ta shoh më bojën ty në televizior! A e kupton që s’jam e vetmja? Ka mijëra si mua që duan të të “zhdukin’ si me magji nga televizori, të shkoni të shisni po*dhë aty ku jua blejnë dhe nëse jeni aq të zgjuar sa thoni se jeni, pranojeni këtë që po ju themi se për ta kuptuar, e di që e keni kuptuar.
Tërhiquni e mos lini nam më me gënjështrat tuaja, se ne në këtë realitet jetojmë. Të gjithë I njohin të gjithë.
Keni instagramin për të gjithë rrenat e mundshme! Shkoni faluni atje dhe median kthejuani atyre që e meritojnë. Boll muskuj të ngrirë kemi parë. Të shohim një fije emocion…. E meritojmë fundja! Kur të na marrë malli të merremi me formë, do ju thërrasim sërish…
Tani, na mungon përmbajtja…