Deputeti i PD-së Ervin Salianji nga Kuvendi, ka reaguar duke ngritur akuza për lidhjet e qeverisë me krimin. Ai madje ka publikuar një video ku sipas tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka festuar fitoren në zgjedhjet e 25 qershorit me një bandë kriminale.
“Dua t’iu tregoj një video. Pak më parë përfaqësuesit tuaj thanë që janë foto rastësore këto me krimin. Jo jo nuk janë rastësore. Ka grup të strukturuar dhe që koordinohet nga ju dhe që investoi në zgjedhje, si rasti i fundit i arrestimit të Durim Keçit. Po kryeministrit mbase nuk i thotë gjë se mbase e njeh me emrin Dur Keçi. Sot nuk del dhe ta falënderojë për gjithë kontributin që ka dhënë.
Këtu vetëm në një tavolinë janë shtatë të kërkuar dhe dy besoj se do jenë pas hekurave shumë shpejt. Gjushi i Durrësit dhe Çela i Durrësit bashkë me të arrestuarin e këtyre kohërave shikohet duke festuar me muzikë dhe me hare fitoren e zgjedhjeve. Ja urdhëroni se e keni të plotë se si gëzon fitoren e zgjedhjeve pushteti kriminal”, tha Salianji.





