Partia Demokratike kërkon ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare të Kuvendit të 24 shtatorit, duke kërkuar që në fokus të jetë situata e krijuar në Shërbimin Informativ Shtetëror pas masave të sigurisë ndaj drejtores së SHISH, Vlora Hyseni.
Kërkesa është depozituar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili kërkon heqjen nga rendi i ditës të dy interpelancave urgjente me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, dhe ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Në vend të tyre, PD kërkon të shtohet një pikë me titull: “Kontroll dhe debat parlamentar me Kryeministrin Edi Rama lidhur me situatën e rëndë në Shërbimin Informativ Shtetëror.”
Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Bardhi i referohet njoftimit të SPAK të datës 22 shtator, sipas të cilit ndaj drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, janë vendosur masat e sigurimit personal “arrest në shtëpi” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Sipas SPAK, masat janë vendosur në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, mbi dyshimet për veprat penale të “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”.
PD argumenton se zhvillimet e fundit përbëjnë një çështje që duhet të marrë vëmendjen e Kuvendit dhe të trajtohet përmes kontrollit parlamentar.
Në kërkesën e tij, Bardhi shprehet se Kuvendi duhet t’i kërkojë Kryeministrit Edi Rama shpjegime mbi përzgjedhjen e Vlora Hysenit në krye të SHISH, si dhe mbi veprimtarinë e saj gjatë drejtimit të institucionit.
“Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të qëndrojë indiferent”, thuhet në kërkesën e Grupit Parlamentar të PD-së, ku kërkohet gjithashtu që të diskutohen përgjegjësitë institucionale dhe masat që mund të ndërmerren për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
PD e lidh çështjen edhe me sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, duke argumentuar se rasti kërkon një reagim parlamentar.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit, demokratët theksojnë se interpelancat për 102 kontejnerët me 2,816 tonë mbetje të rrezikshme në Durrës dhe problematikat e arsimit parauniversitar mbeten çështje me interes publik, por kërkojnë që, për shkak të zhvillimeve të fundit në SHISH, rendi i ditës së seancës së 24 shtatorit të ndryshohet.
Kërkesa është firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.







