Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi nga mbledhja e kryesisë së PD-së kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të mbrojë ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, pas nisjes së hetimeve të SPAK ndaj saj.
Kryedemokrati akuzoi gjithashtu prokurorinë se nuk e ka cilësuar Hysenin si anëtare të një grupi të strukturuar kriminal, duke iu referuar akuzave për nxjerrje të sekretit shtetëror dhe ndihmë të një personi të dyshuar për veprimtari kriminale.
Sipas Berishës, Rama po përpiqet që komunikimet e bëra publike t’i paraqesë si një “aferë dashurie”, ndërsa pretendoi se Hyseni “çdo hap, çdo vendim e ka bërë me dijeni dhe porosi të Edi Ramës”.
“Edi Rama, duhet të jeni të sigurt se ka qenë i informuar, ai dhe jo vetëm ai, urdhër arresti për drejtuesen e SHISH, shërbim që funksionon në një sistem bashkëpunimi të ngushtë në kuadrin e NATO-s, shërbim që në traditën e tij, ka një bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë më kryesorë në fushën e sigurisë, shërbim real dhe me kontribute të pamohueshme. Pra, përpiqet ta paraqesë sot me ca transkripte si një aferë dashurie (love affair). E vërteta është se Vlora Hyseni çdo hap, çdo vendim e ka bërë me dijeni dhe porosi të Edi Ramës”, tha ai.
Ai e akuzoi Hysenin se ka cënuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe pretendoi se ajo kishte pasur si synim të vepronte kundër Kosovës, duke iu referuar edhe shkarkimit të saj të mëparshëm nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës.
“Qëndrimi i Hysenit është shkelmim flagrant edhe i besimit të partnerëve tanë. S’ka gjë më të turpshme, njeriu që kishte urat e bashkëpunimit me shërbimet më serioze, ishte një skllave mjerane e mafies shqiptare dhe e Ergys Agasit”, tha Berisha.
Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Berisha e cilësoi atë “padrino”, duke pretenduar se kreu i qeverisë po përpiqet ta minimizojë çështjen.
“Nëse këta janë pisa, ti je kryepis, nëse këta janë llum, ti je kryellum, nëse këta janë mafie, ti je padrino që bën sikur kjo nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Ajo atje kishte gjithë sekretet e shtetit dhe NATO-s që vinin në këtë shtet”, vijoi Berisha.





