Masa e sigurisë arrest shtëpie ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka shkaktuar debate edhe në në mbledhjen e Komisionit për Kulturën, Diasporën dhe Turizmin.
Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa, tha se përfshirja në hetime e strukturave përgjegjëse për rendin, sigurinë dhe informacionin ngre pikëpyetje serioze për funksionimin institucional dhe sigurinë kombëtare. Zhupa e drejtoi përgjegjësinë politike te kryeministri Edi Rama, duke argumentuar se ai emëron dhe u jep pushtet drejtuesve të këtyre institucioneve.
“S’mund të jetë situatë normale në Parlament për sa kohë që shefja e SHISH kapet si drejtoreshë e Shërbimit Informativ të Krimit, nuk ka më siguri kombëtare, as rregull, as partneritet të sigurt me NATO-n, as shtet që funksionon mbi bazën e ligjit”, u shpreh ajo.
Zhupa e cilësoi rastin si të pazakontë në botën demokratike, duke iu referuar rasteve të ngjashme që, sipas saj, mund të gjenden në Sri Lanka dhe në historinë e mafies italiane gjatë viteve ’70-’80.
“Ky është rast unik në botë demokratike, gjeni të ngjashëm në Sri Lanka, vetëm aty gjeni të tilla raste. Keni dhe një rast në botën perëndimore, të mafies italiane në vitet 1970-80”,- tha Zhupa.
“Narkoshteti sot është i vërtetuar nga SPAK dhe të gjitha akuzat që ishin dje të PD-së, të eksponentëve të PD-së, sot janë në fazë penale”,- shtoi deputetja demokrate.





