Bashkia e Tiranës po zgjeron kapacitetet e parkimit në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, përmes ndërtimit të një parkimi të ri nëntokësor në hyrjen veriore të Parkut të Madh të Liqenit, pranë sheshit “Frederik Shopen”.
Projekti synon t’i japë zgjidhje nevojës së qytetarëve për më shumë vende parkimi, pa zënë hapësirat publike në sipërfaqe. Parkimi do të ketë dy nivele, ku kati -1 do të shërbejë për automjetet, ndërsa kati -2 do të jetë i dedikuar për autobusët.
Mbi parkim, hapësira do të rikthehet në funksion të qytetarëve, me gjelbërim, pemë dhe rrugëkalime për këmbësorët.
Parkimi do të pajiset gjithashtu me sisteme ventilimi, kamera monitorimi, kontroll aksesi dhe ndriçim modern.
Me këtë projekt, Bashkia e Tiranës synon të krijojë më shumë vende parkimi dhe një organizim më të mirë të zonës, duke ruajtur njëkohësisht hapësirën e gjelbër dhe publike të Parkut të Madh.
Bashkia e Tiranës, nën drejtimin e kryetarit Erion Veliaj, e ka përfshirë parkimin në programin e investimeve të qytetit, në kuadër të ndërhyrjeve për mobilitetin dhe organizimin e hapësirave publike.





