Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi skandalin e Vlora Hysenit, e cila u shkarkua një ditë më parë nga detyra e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) si skandalin më të turpshëm në histori.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha theksoi se po përpiqen ta “shesin” skandalin si aferë dashurie, por sipas tij, Vlora Hyseni nuk ndërmerrte asnjë hap dhe vendim pa porosinë e dhënë nga Edi Rama.

“Edi Rama merr një person të shkarkuar nga detyra, nga shërbimi inteligjent i Kosovës, dhe e emëron në një akt të pashembullt në histori, në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar. Për të njëjtat motive që kjo mund t’i vë çdo epitet por nuk dua që të rëndoj gojën sepse është rasti më i turpshëm në histori. Mediat e botës kanë dy lajme kryesore, fjalimin e Trump në Asamblenë e OKB, por është edhe lajmi i Vlora Hysenit. Lajmi i turpshëm i Vlora Hysenit. Edi Rama sapo u bë publik skandali, duhet të jeni të sigurt, se ai ka qenë informuar. Ai dhe jo vetëm, urdhër arresti për drejtuesen e SHISH, shërbim që funksionon në një sistem bashkëpunimi të ngushtë në kuadër të NATO-s, që ka një bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë më kryesorë në fushën e sigurisë, pra përpiqet ta paraqesë sot me ca transkipte si një llavaferë. E vërteta është se Vlora Hyseni, çdo hap, vendim e ka bërë me dijeni dhe porosi të Edi Ramës.

Këtu lexoni transkiptin: “Pres nesër nga Skënderi se mos ka ndonjë porosi nga Kryeministri”.

Kryeministrit porositë do t’ia jepte për Agasin. Kryeministri, porositë Skënderit do ia jepte për Agasin. Për gjë tjetër nuk ka pse merrte shefja e shërbimit porosi nga Skënderi. Shefja e shërbimit informativ në ligje është përgjegjëse direkt para Kryeministrit dhe presidentit të Republikës. Ajo në ligje është e detyruar që çdo informacion t’ua paraqesë këtyre dy personave. Inspektori i përgjithshëm i Shërbimit Informativ ka të drejtën e aksesit në tërësi në informacionet e shërbimit por jo në të gjitha. Ato në të cilat inspektori nuk ka akses kryeministrit i thuhen.”, tha Berisha.