Kryedemokrati Lulzim Basha i ka ashpërsuar tonet sot në Kuvend dhe e ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama për lidhje me bandat e kriminelët. Ai tha se për të vjedhur zgjedhjet ai është ndihmuar nga disa kryebashkiakë.

“Qazim Sejdini ka lidhje direkte dhe personale me trafikantë e biznesmenë të lidhur me krimin, ashtu si në Elbasan planet për vjedhen e votës i ka bërë me Qazim Sejdinin, në Durrës i ka bërë më Vangjush Dakon dhe bandat e Durrësit e Shijakun. Në Kavajë i blinte me bandat e Elvis Roshit. E njëjta gjë edhe në Lezhë, Fushë-Arrëz, Dibër e Tepelenë”,- tha Basha.

E që të shpëtojë vendi, Basha u shpreh se duhet të shkarkohet Gramoz Ruçi, të arrestohet vëllai i Fatmir Xhafës, të arrestohen Qazim Sejdini e Vangjush Dako.

“Nëse ata arrestohen, shqiptarët bien në paqe”,- tha Basha.