Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ishte dje në qytetin e Durrësit në një takim me strukturat e partisë, nga ku u shpreh se partia që ajo drejton, synon të sjellë risi e t’i japë fund traditës së përfaqësimeve të mafiozëve dhe oligarkëve në pushtet, duke marrë shkas nga emrat e zëvendësministrave të rinj të qeverisë “Rama 2”.
Pas takimit, Kryemadhi zhvilloi një mbledhje me rrethin e ngushtë të LSI-stëve të Durrësit, (drejtues e ish-drejtues), me të cilët foli hapur për vështirësitë që e presin LSI-në gjatë kësaj legjislature. Një koalicion me Partinë Demokratike, do të ishte lëvizja e duhur që do t’i bënte akoma më të fortë.
Nga burime konfidenciale, “DurrësLajm” mëson se Kryemadhi është shprehur hapur gjatë kësaj mbledhjeje pro koalicionit me demokratët. Gjithsesi, ata nuk duhet të rrinë të presin një përgjigje nga PD-ja, por të përgatiten për më të keqen, për një luftë ku mund të luftojnë të vetëm.
Monika Kryemadhi: “Partia Demokratike mund të thotë që nuk duam të hymë në koalicion, sepse ne nuk e dimë i kanë shkëputur fijet apo nuk i kanë shkëputur. Nuk do rrimë të presim ata. Jo, do bëhemi gati!
Po hymë me PD-në do të jetë shumë mirë. Është pozitive shumë. Por megjithatë, po hymë me PD-në duhet të marrim parasysh pabesinë e strukturave të partive të vjetra, qoftë nga PS-ja e qoftë nga PD-ja. Pavarësisht nga kjo, ne të gjithë duhet të përgatitemi për t’u bërë gati për të qenë prezentë e luftarakë. Ne duhet të bëhemi gati për më të keqen, për të qenë vetëm. Pastaj po erdhi PD-ja, është vlerë e shtuar”, mësohet të jetë shprehur Kryemadhi gjatë kësaj mbledhjeje.
Ajo nuk ka lënë pa akuzuar edhe kryeministrin Edi Rama në blerjen e individëve të ndryshëm, të cilët sipas Kryemadhit, ai do t’i përdorë e më pas do t’i flakë. Për këtë ka bërë një krahasim edhe me famijarët e kryeministrit….
“Mos kujtoni se Rama s’ka për të tentuar për të kapur e për të blerë njerëzit. Do t’i marri, t’i përdori, do t’i nxjerrë njeherë në tv e pastaj do t’i flakë. Ashtu është ai. Ai kur përdor fëmijët e vet dhe gratë e veta, jo më …”
Dikush ndërhyn nga salla e i thotë ‘gratë e veta’ e nisin të qeshurat.
“Gratë thashë edhe unë, në shumës e thashë”, përfundon me të qeshur Monika Kryemadhi.





