Kryeministri Edi Rama me tone të ashpra ka rikthyer shkarkimet live, teksa u ka dhënë ultimatum drejtuesve të AKU, që do të vihen në provë, ndërkohë që ata që janë emëruar ashtu si e dinë vetë, më mirë të ikin vetë.

“Ky është një institucion i lidhur direkt me shqetësime tejet serioze të publikut, të familjeve, dhe të qeverisë për gjendjen, për performancën. Kemi një situatë praktikash absolutisht të papranueshme, absurde në tërësinë e tyre, që e kanë bërë këtë institucion një problem kombëtar.  Institucion që vë gjoba, që i nxin jetën sipërmarrjes, që terrorizon dyqane dhe tregtarë të vegjël dhe që në fund fare nuk përmbush misionin e vet. Historitë e AKU nëpër doganat e vendit janë të pafundme dhe natyrisht që do marrin fund njëherë e mirë se AKU nuk do shkelë më nëpër doganat e vendit, është tërësisht e panevojshme, ashtu sikundër dhe historia e analizave për mallrat e cilësisë më të lartë në emër të kontrolleve medemek për të parë sa të sigurta janë ndërkohë që rrugët e vendit janë mbushur me thertore të paligjshme patjetër që do të marrë fund. Sot ka ende pajisje laboratorike që janë në kuti se nuk di ti përdorë njeri, nuk ka kush ti përdorë kur njerëzit janë futur në AKU për të marrë një rrogë. Duhet ta kuptojnë vetë që duhet të largohen vete se kanë ardhur si rezultat i partive dhe ndonjë lidhje profesionale, apo emocionale në këtë fushë të veprimtarisë së shtetit që është e minuar nga të katër anët se AKU është degraduar aty ku nuk duhet.”