Një burrë shqiptar, i cili jeton në Michigan mund të detyrohet që ta lerë vetëm bashkëshorten e sëmurë së bashku me fëmijët, sepse qeveria po e deporton.
Flora Rranxburgaj vuan nga skleroza e shumëfishtë dhe së fundmi pësoi edhe një goditje në tru. Ajo nuk mund të kujdeset për veten dhe ka një bashkëshort të përkushtuar që i ka qëndruar asaj gjatë gjithë kohës pranë.
“Punoj dhe përpiqem që të kujdesem për familjen time. Gruaja ime është shumë e sëmurë”, rrëfeu Ded Rranxburgaj për mediat amerikane, ku histori e tyre është bërë publike si një thirrje e dëshpëruar për të mos e kthyer burrin në Shqipëri.
Bashkëshorti dhe babai i dy fëmijëve bën dy punë për të mbështetur familjen dhe për të paguar për mjekimin e bashkëshortes. Ai dhe dy djemtë, një prej të cilëve është në kolegj ndërsa tjetri është 14 – vjeç, e ndihmojnë Florën për gjithçka.
Megjithatë, Ded ishte së fundmi në një takim në Zyrën e Emigracionit, ku dhe mori lajmin e hidhur.
“Ata i thanë që duhet të largohet brenda 3 muajve”, tha Eric, djali 14 – vjeçar i çiftit.
Zyrtarë të Emigracionit thonë se Flora Rranxburgaj lejohet të qëndrojë në SHBA pasi është shumë e sëmurë për të udhëtuar, por Ded Rranxburgaj është urdhëruar që të largohet në janar.
“Nga ai po pretendohet që të lerë gruan të vdesë këtu e vetme dhe djalin e tij 14 – vjeçar që ka nënshtetësi amerikane, ka lindur dhe është rritur këtu. Kjo është e papranueshme”, deklaroi për mediat avokati i familjes, George Mann.
Çifti thotë se shkuan në SHBA pasi u arratisën nga qeveria komuniste në Shqipëri, që nuk i lejonte të praktikonin fenë katolike. Ata kërkuan azil.
Por pas rënies së komunizmit dhe përmirësimit të kushteve në Shqipëri, atyre iu refuzua kjo kërkesë. Megjithatë atyre iu lejua të qëndronin në Amerikë për arsye humanitare, për shkak të sklerozës së shumëfishtë nga e cila vuan Flora.
“Vetëm qaj, qaj dhe qaj”, tha e dëshpëruar gruaja. “Jam vetëm unë, fëmijët dhe bashkëshorti. Ai është kujdesur për mua prej shumë vitesh. Është një bashkëshort i mirë, një baba i mirë”.
Avokati i familjes thotë se zyrtarët mund të ndryshojnë qëndrim dhe ta lejojnë Ded Rranxburgaj që të qëndrojë. Ai shpreson që njerëzit të preken nga historia e familjes shqiptare dhe të ngrenë zërin tek senatorët dhe përfaqësuesit e tyre.
“Është shumë frustruese, sepse nuk e di se çfarë do të bëja nëse babai im nuk do të ishte më këtu me ne”, u shpreh Eric për mediat.
Familja thotë se po lutet për ndihmë dhe po shpreson për mëshirë.