Nga Bujar Qesja

Sot është 84 vjetori i lindjes së njërit prej mjeshtrave më të shquar të futbollit shqiptar, Miço Papadhopulli. Historia e tij është historia e vetë futbollit shqiptar dhe veçanërisht e Partizanit mitik, të legjendave të papërsëritshme të tij.

Me profesor Miçon më lidh edhe një moment nga rinia ime e hershme. Isha vetëm 16- 17 vjeç djalë, kur erdhi në Durres në krye të ekipit të Lokomotivës Miço Papadhopulli. Unë aso kohe isha me ekipet e moshave në futboll, por luaja edhe në formacionin kryesor, me ekipin “Shpresa” të Lokomotivës deri në 21 vjeç. Isha shtatlartë, me një përgatitje atletike për t’u patur zili dhe me një kondicion fizik konkurues.

Pikërisht ky Miço Papadhopulli më shikon dhe më thërret në ekipin e parë dhe fillova stërvitjen me Lokomotivën e madhe. Jam stërvitur përkrah mikut të vjetër, të paharruarit Safet Berisha, një njeri brilant, i madh ashtu sikundër u bë më vonë futbollist i tillë.

Në kohën kur erdhi në Durres Papadhopulli, filloi një revolucion në futbollin durrsak në të gjitha strukturat, Aso kohe ishte edhe fusha e vjetër, e cila shërbente për stërvitjen e ekipeve të moshave. Në mos gaboj kjo kohe ishte viti 1967-1968.

Për këtë punë të jashtëzakonshme, pasionante, plot durim, mjeshtëri e profesionalizëm, Miço Papadhopulli është inkuadruar në kapitujt më të arritur të futbollit durrsak. Ky partizanas 24 karat, bëri një emër të madh, në sajë të natyrës së tij dashamirëse, të humorit dhe zemërmadhësisë së tij të pashembullt, ku u kthye në një figurë qendrore dhe pikë referuese e sportdashësve dhe qytetarisë durrsake.

Edhe sot e kësaj dite, kur profesor Papadhopulli vjen në Durrës, atij i rezervohet një pritje njerëzore dhe shumë, shumë miqësore. Krejt rastësisht jemi takuar më 23 prill 2017, ditë kur është fiksuar edhe fotoja që prezatojmë, në lokalin e mikut tim të vjetër Rifat Erzeni, që njihet edhe me nofkën Peshkatari dhe ky lokal është Erzeni i famshëm, në stacionin e parë të plazhit të Durrësit, ku veçanërisht të ardhurit nga Tirana, lejëe kokën për peshkun e tij të freskët dhe të shumëllojshëm.

Me thërriti si njëherë qëmoti dhe me shumë dashuri dhe respekt, që di ta rezervojë vetëm ai, më ftoi të bënim edhe nje foto. Ishte një rastësi që më gëzoi shumë dhe ma qendisi shpirtin atë ditë. Familjes i shpjegova që është profesori im i vjetër, që aq shumë pati besim tek unë, për t’u bërë një futbollist i shquar, por dëmtimi dhe ikja për studime të larta në Tiranë, ma privuan një gjë të tillë.

Në këtë ditë të 5 tetorit 2017, kur është edhe përvjetori i 84-t i lindjes së tij, është detyrë dhe reagim i domosdoshëm nga ana ime, t’i drejtoj këtij futbollisti të madh, këtij njeriu brilant, këtij qytetari model, këtij prindi dhe familjari të veçantë. këtij kuadri dhe pedagogu me gjurmë prej historie, këtij zotnie mbresëlënës, këtij dashamirësi ndaj kujdo, të këtij tiranasi të lashtë me pasaportë durrsake që quhet MIÇO PAPADHOPULLI, urimet më të ndjera të miat, për shëndet të plotë, për jetëgjatësi dhe komoditet jetësor, për të qenë kurdoherë vital dhe gjithnjë pranë nesh, duke na transmetuar humorin dhe qytetarinë e tij të veçantë. Të çmoj dhe vlerësoj shumë Miço Papadhopulli!