Të paktën nëntë persona janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri pranë University of Indiana Bloomington, në Shtetet e Bashkuara.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës së së dielës në Kirkwood Avenue, në një zonë ku ndodheshin mijëra persona pas një aktiviteti të madh studentor.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka gjetur disa të plagosur një bllok larg kampusit, ndërsa në total nëntë persona janë transportuar në spital. Sipas autoriteteve, gjashtë prej tyre janë dërguar me autoambulancë.

Dëshmitarët kanë deklaruar se ngjarja ka nisur pas një konflikti mes dy grave, ndërsa më pas është hapur zjarr. Dy gratë e përfshira në sherr nuk janë lënduar.

Të plagosurit janë kryesisht të rinj, mes tyre një 17-vjeçare, një 18-vjeçare, një 21-vjeçare dhe një 22-vjeçare, të cilat kanë marrë plagë nga plumbat ose fragmente. Një 20-vjeçare raportohet se është goditur drejtpërdrejt nga arma e zjarrit dhe ka pësuar dëmtime më të rënda.

Një nga viktimat mbetet në spital në gjendje të qëndrueshme, ndërsa të tjerët janë trajtuar dhe janë liruar.

Autoritetet amerikane po hetojnë rrethanat dhe motivet e ngjarjes, të cilat deri tani mbeten të paqarta.