*Kanalet kulluese jashtë funksioni për vaditje! Bashkia financon 300 mijë euro për bujqësinë në 2017-n.
Toka bujqësore zë 70% të sipërfaqes së bashkisë së Durrësit, por fondet për bujqësinë zënë vetëm 1% të buxhetit të bashkisë për vitin 2017. Vetëm 300 mijë euro janë parashikuar në fondin vjetor për investime në bujqësi.
Problematikat me të cilat bujqit përballen janë nga më të ndryshmet dhe të mprehta. Hasan Muça është një fermer i zonës së Shkallnurit, një prej zonave më të pasura me toka pjellore. Ai thotë se tokat në këtë fshat shumë pranë Durrësit po mbeten djerrë për shkak se mungon uji për vaditjen e tyre. Rezervuaret me ujë janë ndërtuar dekada më parë e janë trashëguar, por kanalizimet nuk funksionojnë apo pompat për të bërë vaditjen e tokave bujqësore me ujë. Fermeri tregon se klima është shumë e mirë dhe prodhimi duhet të jetë shumë i madh teorikisht, pavarësisht përpjekjes së madhe të fermerëve. Fermeri Hasan Muça thotë se i ka tokat 300 m larg rezervuareve, por ujë për të vaditur nuk ka. Sipas Muçës, u është premtuar në periudha elektorale që të zgjidhet ky problem por që tashmë problemi është anashkaluar.
Zonat e Kodër Arapajt janë mjaft pjellore dhe ndikojnë në tregun turistik me prodhime “bio” nga më të zgjedhurat duke filluar nga Shkëmbi i Kavajës në afërsi deri në zonat e plazhit të Durrësit. Edhe këtë vit ka pasur prodhimtari te mirë megjithë dëmet që ka pasur bujqësia fillimisht nga një ngricë e fortë dhe më pas gjatë stinës së verës nga thatësira dhe temperaturat e larta që pasuan. Po fermerët thonë se nëse gjatë dimrit nuk kishin se çfarë t’i bënin se i ftohti erdhi papritur, për thatësirën ndryshon puna. Ata janë në breg të rezervuareve të mëdha dhe se vetëm mungesa e pak investimeve lë me dhjetëra ha tokë bujqësore të thahet në pikun e verës.
Por ndërsa një nga zonat më pjellore është në krizë të tillë, në tregun e përditshëm produktet vendase janë zëvendësuar me ato të importit apo edhe të fushës së Myzeqesë e të Korçës, duke rritur koston.
Rrethi i Durrësit ka një sistem të fuqishëm liqenesh artificiale ose ujëmbledhësish të ndërtuar gjatë viteve 1960-1985. Që kanë një kapacitet prej rreth 56 milionë m3 ujërash në dispozicion të bujqësisë, dhe është mëkat që edhe sot e kësaj dite, pas shumë projektesh të publikuara ndër vite për bujqësinë ende nuk fillohet nga themeli i saj: çuarjen te fermeri të ujit për vaditje.
Bashkia:
Fondet për Bujqësinë, Pyjet, Zhvillimin Rural, pavarësisht se toka bujqësore përbën 70% të sipërfaqes së bashkisë Durrës apo 6.620 ha pyje në menaxhim, janë pothuaj të papërfillshme në këtë buxhet. Ato parashikohen të jenë rreth 300.000 euro apo 1% e buxhetit vjetor.
Siç përshkruhet dhe në raportin e buxhetit situata aktuale është ajo e 50% të kanaleve kulluese dhe ujitëse të papastruara e nga 20 rezervuarë që zotëron kjo bashki, vetëm 7 prej tyre janë në funksion. Rehabilitimi i skemave ujitëse dhe vaditëse janë shtyrë si investime për vitin 2018 (në vlerë projekti 45.000.000 lekë), në mënyrë progresive nga ky vit që jemi.
K.H.





