Ka nisur seanca e Kuvendit ku pritet që mazhoranca socialiste të votojë raportin final të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Kuvendi e ka futur si pikë të parë në rendin e ditës çështjen e shkarkimit të kreut të shtetit. Raporti po prezantohet në foltoren e Kuvendit nga kreu i Komisionit Hetimor, Alket Hyseni, i cili u shpreh se raporti është 98 faqe dhe me tre anekse.

“Raporti shtjellohet në 98 faqe dhe 3 anekse. Për shkak të volumit të madh të raportit, iu është shpërndarë deputetëve, është publikuar dhe në faqen e Kuvendit, është bërë dhe një përmbledhje. Më 30.04.2021 është depozituar kërkesa e 41 deputetëve që kanë paraqitur propozimin për shkarkimin e Presidentit. Komisioni pasi konstatoi se kërkesa e deputetëve për shkarkimin e Presidentit plotëson kriteret vendosi ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda nga Presidenti të përbërë nga 9 anëtarë”, deklaroi Hyseni.