Këtë të mërkurë, Parlamenti do të diskutojë dhe do të vendosë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Pas debateve në Komisionin Hetimor që u ngrit me iniciativë të 50 deputetëve të maxhorancës, sot në seancë plenare do të vendoset nëse Meta do të shkarkohet nga posti apo jo.
Komisioni Hetimor, që u drejtua nga Alket Hyseni, mblodhi prova kundër Presidentit dhe në raportin përfundimtar flitej për shkelje të Kushtetutës nga ana e kreut të shtetit.
Nisma për shkarkimin e Metës u bë për shkak të deklaratave të bëra nga ky i fundit gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, që sipas maxhorancës shkelnin Kushtetutën.
Por edhe pse kreu i shtetit është thirrur sot për të qenë pjesë në seancë dhe për të kundërshtuar akuzat ai ka refuzuar të marrë pjesë.
Ndërkohë që sipas Kushtetutës, edhe nëse Kuvendi vendos për shkarkimin e tij do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të thotë fjalën e fundit.
Por sa vota iu duhen socialisteve, për të shkarkuar Metën? Sipas nenit 88 të Kushtetutës, kërkohet që shkarkimi i Presidentit të Republikës të marrë jo me pak 94 vota ose 2/3 e të gjithë deputeteve. Por këto vota Partisë Socialiste nuk i ka vetë dhe do të duhet të mbështetet dhe nga deputete të tjerë.
Kuvendi i Shqipërisë, pas djegies së mandateve nga demokratet dhe LSI, dhe me zëvendësimin e tyre më të pabindurit e të dyja kampeve, ka aktualisht 122 deputetë. Por cilët nga këta 122 deputetë mund të votojnë kundër shkarkimit të Presidentit?!
Ata janë Lefter Maliqi, i cili kandidoi në zgjedhjet e fundit nën siglën e LSI, Elda Hoti, Artur Roshi, Korab Lita, kandiduan në 25 prill, si pjesë e listave të demokratëve. Gjithashtu dhe Gjetan Gjetani, i cili u largua nga PS, dhe iu bashkua LSI-së.





