Vetëm pak ditë më parë, raporti i PWc tregoi se shqiptarët kryesonin listën e azilantëve të 2015-s dhe 2016-s që ishin ende në pritje të përgjigjes së tyre të qëndrimit. Ndërsa në tremujorin e dytë të vitit 2017, Eurostat raportoi se 6,000 shqiptarë aplikuan rishtas për azil, duke u renditur të gjashtët pas vendeve të Lindjes së Mesme dhe atyre afrikanë, për numrin e lartë të azilkërkuesve.

Në të njëjtën kohë, Italia, fqinja jonë tek e cila numri i emigrantëve shqiptarë është i konsiderueshëm ndër vite, ka shpallur një projekt të ri, i financuar nga Ministria e Brendshme italiane, me bashkëpunim të Fondit Europian të Azilit, Migrimit dhe Integrimit, ku ndihmohen ekonomikisht të gjithë të huajt jokomunitarë për rinisjen e një jetë të re në atdhe.

Projekti “Back to the future”, i Gruppo Umana Solidarietà, mbështet konkretisht ata që vendosin të kthehen (duke përfshirë edhe shqiptarët) duke u ofruar pagesën e biletës së kthimit, një shumë të vogël për nevojat e para dhe një mbështetje të personalizuar për riintegrimin e të kthyerve në Atdhe.

Kush mund të përfitojë?

Sipas njoftimit të projektit të afishuar në faqen e internetit të projektit (http://rimpatri.gus-italia.org/), mund të përfitojnë të gjithë ata që kanë një leje qëndrimi, ata në pritje për ta marrë apo atyre që u është refuzuar, por nuk mund të marrin pjesë ata që kanë përfituar më parë nga programe të ngjashme riatdhesimi vullnetar të ndihmuar.

Çfarë ofron Italia:

  • Orientim e konsulencë para-nisje dhe përcaktimin e një plani individual riintegrimi;
  • Ndihmesë për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit dhe në aeroportin e nisjes, përfshirë edhe blerjen e biletës;
  • Pagesën e shpenzimeve për ngrënie e fjetje në Itali deri në çastin e nisjes;
  • Dhënien e një kontributi para-nisje në masën e 400 eurove.

Çfarë ofron në vendlindje:

– Marrje në ngarkim të personit të kthyer nga një partner lokal, për gjashtë muaj nga data e kthimit;
– Për realizimin e riintegrimit do të ofrojë financim prej 2000 eurosh (shpenzime shtëpie, ngrënie apo gjetje pune)
– Në rastin e familjeve që do të kthehen, kontributin para-nisje prej 400 eurove dhe ndihmesën e riintegrimit prej 2.000 eurove, do ta përfitojë çdo pjesëtar i familjes.

Për të përfituar nga ky program, në njoftimin e programit jepen numrat e kontaktit dhe adresën e e-mail-it për të bërë aplikimin dhe nënshkrimin e një formulari. /Monitor/