Serxhio Aguero, sulmuesi i Mançester Sitit u përfshi mbrëmjen e të enjtes në një aksident që për pak sa nuk përfundoi në mënyrë tragjike.

29-vjeçari ndodhej në një koncert të këngëtarit Maluma në Holandë dhe po kthehej me taksi për në Mançester për t’iu bashkuar skuadrës për ndeshjen ndaj Çelsit. Automjeti me të cilin po udhëtonte sulmuesi argjentinas u përplas me një shtyllë ndriçimi në Amsterdam.

Sot mediat shkruajnë se ai është ndarë nga e dashura e tij me të cilën ka pasur një lidhje 4 vjeçare, Karina Tejeda, 31 vjeçe. Karina – e njohur si “Princesha e Vogël” në vendlindjen e saj, thuhet se ishte zemëruar me Aguero pasi ai kishte festuar një natë me shokët e ekipit kombëtar të Argjentinës. Thuhet se ata nuk kanë folur prej disa ditësh dhe Karina mësoi për aksidentin e Agueros kur u pyet nga mediat në Argjentinë.

Lidhur me aksidentin, ajo u përgjigj: “Me të vërtetë? Nuk e dija. Epo mirë.” Ndërsa për ndarjen, ajo tha: “Që prej fillimit nuk kam folur shumë dhe ndihem me të vërtetë mirë që gjërat shkuan në këtë mënyrë”, duke zbuluar kështu edhe ndarjen.