Si në filmat e ciklit të dikurshëm “Njerëz në udhëkryq”. E tillë ka qenë historia e Miranda e Përparim Agos dhe djalit të tyre Artanit, me të cilin u lidhën pas 35 vitesh, pasi iu kishin thënë në maternitet se ai kishte vdekur.
Emisioni “Me zemër të hapur” në "News 24" dhe stafi i tij kanë lidhur në transmetim live, djalin Artanin që sot jeton me familjen e tij në Greqi dhe nënën e tij Mirandën në Lushnje me telefon. Në studio ishte babai Përparimi dhe nusja e xhaxhait që ishte një ndër personat që këmbënguli më shumë për gjetjen e djalit për vite me radhë. Emocionet kanë qenë të papërshkrueshme. Psherëtima në të dy anët e telefonit, lot gëzimi e tronditje për një takim të paimagjinueshëm, raporton Balkan Web.
Përshëndetje Artan!
Ju përshëndes për emisionin. Është një ditë që e prisja nga momenti në moment. Të tjerat i kuptoni vet nga emocionet.
E shihni që i ngjani babait tuaj?
Dashuria e fortë do ngjante diku.
E dije që një ditë do bashkoheshe me prindërit e tu biologjikë?
E dija që do vinte momenti. Ja lashë kohës. Prisja kohën. Mos të lëndoja ata që nuk më lanë asgjë mangët në jetë.
A të lanë një amanet prindërit e tu birësues para se të vdisnin?
Po, patjetër. Amaneti i tyre është plotësuar.
Po për stafin mjekësor të spitalit të Lushnjës…
Këto janë të shkuara. Çdo gjë ka kaluar. Ata mjekë i ka marrë Zoti. Kur pashë fotografinë, mu ngjeth mishi. Nuk doja të shkonte deri këtu, por prapë i falënderoj që më kërkuan. Unë i përshëndes fort por do kemi mundësi të flasim e të takohemi.
Kush ta ka vendosur emrin?
Prindërit.
Si po e përjetojnë djemtë, çfarë moshe kanë?
12-13 i madhi dhe 11-12 i vogli janë. Kemi folur me fëmijët si shokë, si vëllezër si baba dhe ata më shtynin çdo ditë që të flisnim.
Sa herë e ke parë emisionin e 26 korrikut?
Shumë herë.
Zonja Miranda çfarë ke për t’i thënë Artanit?
Jetë të gjatë e të kalojë jetë të lumtur me gruan e fëmijët. Kur do vijë ajo ditë që ta takoj sa më shpejt.
Në studio erdhi edhe motra e Artanit përmes lidhjes telefonike, e cila për shkak të shtatzënisë nuk mundi të ishte në studio.
Jemi me motrën e Artanit, Gertën. Si ndiheni pas kësaj telefonate?
Jam Gerta, motra e dytë. Gëzohem që jeton. Gëzohem që ke familje shumë të mirë me dy djem.
Si është gjendja e Mirandës?
Shumë e emocionuar, nuk mund të fliste dot. Ishte diçka që nuk e prisnim.