Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nora Malaj, e cila ishte për rreth 2 vite deputete e qarkut Durrës, deri në momentin e dorëzimit të mandateve nga opozita, ka deklaruar se është tërhequr nga politika pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe tashmë do ketë vetëm rol analizues.

Në një intervistë për “Report Tv” ajo u shpreh se misionin e saj në politikë e ka mbyllur. Malaj tha se ka dhënë një kontribut prej 20 vitesh në politikë, mirëpo nuk mund ta quajë veten të anashkaluar nga LSI, pavarësisht se nuk mori mandat në zgjedhjet e 25 prillit.

“Politika duhet të jetë e ftohtë e drunjtë për të bërë një analizë të plotë. Deri më tani jemi në momentin e vlerësimit të situatës. Pas krimit zgjedhor po analizojmë të gjithë skenën. Misionin tim politik e kam mbyllur. Kontributi im prej 20 vitesh në politikë ka qenë shumë luajal. Jam ndër të paktat politikane që i kam duart e pastra dhe asnjëherë se kam tradhëtuar misionin tim. Politikës i duhen njerëz me personalitet e të guximshëm. Shtatori do sjellë një qasje tjetër të vendimarrjes politike. E dua forcën politike me të cilën është themeluar dhe skam shanse ta quaj veten te anashkaluar nga kjo forcë. I dhashë mundësitë e mia. Isha e 8 në listë u vlerësova dhe su votova”, tha Malaj.