Regjisori historik i “Portokalli”, Altin Basha, pas një jave të mbushur me akuza dhe kundërakuza nga aktorët dhe ish-aktorët e spektaklit të humorit ka folur dje më në fund.
Në Top Show, Basha ka konfirmuar se spektakli do vazhdojë dhe do të prezantohet nga Xhemi Shehu dhe Salsano Rrapi, bashkëpunimi me të cilët ka rezultuar i kënaqshëm dhe do të vijojë dhe këtë sezon.
“Për momentin jemi shumë mirë me prezantuesit që kemi, Xhemi do jetë dhe aktore. Eksperienca jonë me të si aktore ishte e kënaqshme prandaj do të vazhdojë,” shpjegon Basha.
Dhe sigurisht s’mund t’i shpëtonte pyetjeve rreth largimit të bujshëm të Florian Binajt.
“Flor Binaj gjithmonë ka qenë i kthyer. Kjo puna e thashethemeve ekzagjerohet gjithnjë në media. Flori është aktor që karrierën e ka nisur, ndërtuar, kulmuar në Top Channel, ai është aktor dhe skenarist që e ka gjetur veten në të gjitha dimensionet e këtij formati.”, – tha Basha.
Të dielën të gjithë do të rikthehen në Portokalli, në një skenografi të re, tërësisht ndryshe nga ajo që kemi parë gjithë këto vite.





