Pronarët e makinave që kërkojnë të shesin mjetin e tyre, nuk do të kenë nevojë të pajisen me vërtetim për taksat e paguara dhe gjobat nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor.

Noterët që do të hartojnë kontratën e shitjes së makinës do të aplikojnë online për marrjen e këtij vërtetimi nëpërmjet sistemit të ri që do të instalohet. Pritet që shumë shpejt qeveria të nisë zbatimin e këtij sistemi online që u jep akses noterëve të aplikojnë në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor për të verifikuar pagimin e taksave dhe të gjobave nga pronari i makinës.

Pra, në rast se një qytetar do t’i drejtohet noterit për të hartuar kontratën e shitjes së makinës, nuk është e nevojshme të sjellë edhe vërtetim që nuk është debitor për taksat apo gjoba pa paguar. Kjo lehtësisht do të verifikohet nga vetë noteri, i cili akseson online në sistemin e të dhënave. Vënia në punë e shërbimit të ri synon të lehtësojë procedurat e shitjes së një makine dhe t’u japë fund ecejakeve të qytetarëve.

Nëse nuk vërtetohet te noteri që pronari i makinës që kërkon ta shesë ka taksa pa paguar apo edhe gjoba të policisë rrugore, shitja nuk mund të kryhet. Sistemi do të jetë i njëjtë me atë që aktualisht noterët zbatojnë për kontratat e shitjes së shtëpive.
Në këto raste për nxjerrjen e kartelave të pasurisë aplikimet kryhen online nga noteri, pa qenë e nevojshme që qytetari t’u drejtohet zyrave të Hipotekave./panorama