Në kohën kur po trumbetohet kaq shumë për Vettingun në polici, një rast i rëndë është tentuar të mbahet larg syve të publikut.
Në njoftimin e policisë së Durrësit të datës 22 shtator jepeshin vetëm inicialet e një personi që është arrestuar me qëllim ekstradimin në Itali. Por në fakt, bëhet fjalë për Dritan Xhindolin, ish-zyrtar i lartë i policisë deri pak muaj më pare, raporton “Top Channel”.
39-vjeçari nga Durrësi është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Apelit të Bolonjës për veprat penale të vjedhjes dhe falsifikimit.
Dënimi është dhënë që në vitin 2013, por Xhindoli ka vijuar të mbajë poste të larta në polici për disa vite. Xhindoli me gradën “Komisar”, ka mbajtur detyrën e Shefit të Sektorit të Vrasjeve dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës, zvdrejtor i kufirit në Vlorë, madje edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Departamentin e Krimit të Organizuar, para se të jepte dorhëqjen pak kohë më parë.
Autoritetet italiane i kanë dorëzuar dosjen homologëve shqiptarë që në vitin 2013, por Interpol Tirana e ka shpallur në kërkim vetëm në qershor të 2017-ës, pasi Dritan Xhindoli dyshohet se ka mbajtur edhe emrin Artan, por gjurmët e gishtave kanë konfirmuar se bëhet fjalë për të njëjtin person. /TCH
Njoftimi i policisë Durrës, i datës 22 shtator
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar kanë bërë të mundur arrestimin e përkohshëm me qëllim ekstradimi drejt Italisë të shtetasit:
• D. Xh. 39 vjeç, banues në Durrës.
D.Xh. është shpallur në kërkim nga Zyra Qëndrore Interpol Tirana pasi Gjykata e Apelit në Bologna , me Vendimin Nr.460/2013-R, datë 15.02.2013 e ka dënuar me 10 vite burg për veprat penale" Vjedhja" dhe" Falsifikimi I dokumentave" parashikuar nga Kodi Penal Italian.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.





