Për të tretin vit rresht Shqipëria vijon të ngjitet në renditjen e indeksit të konkurueshmërisë globale. Forumi Ekonomik Botëror,  ka rankuar vendin tonë për vitin 2017 –të,  të 75-ën  mes 137 shteteve.

Për herë të parë në këtë raport Shqipëria le pas rajonin dhe del para. Poshtë saj vijnë Serbia, Mali i Zi, Bosnjë Hercegovina e më poshtë akoma Greqia. Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka përmirësuar 5 vende në këtë renditje.

Megjithatë raporti vijon të shohë si dy nga problemet kryesore të të bërit biznes në Shqipëri nivelin e lartë të taksave dhe korrupsion. Këtë vit, sipërmarrësit janë shprehur se kanë shqetësim më të madh taksat, duke renditur si problem të dytë korrupsionin, ndërsa i treti është mungesa e kreditimit.  

Në analizën e sektorëve që ndikojnë në konkurrencën e ekonomisë sonë me vendet e tjera të botës, e fundit në rënditje rezulton pavarësia e sistemit gjyqësor, ku Shqipëria del në vendin e 123-të. Pikë të ulëta vendi ynë mbledh edhe në fushën e infrastukturës, madhësisë së tregut, mbështetjes së bizneseve të reja, luftës kundër monopoleve dhe zbulimit e mbajtjes së talenteve të reja.

Forumi Ekonomik Botëror publikon çdo vit një raport mbi nivelin e konkurrencës së ekonomive në botë, ai bazohet mbi të dhëna zyrtare nga institucionet dhe anketimet që i bën bizneseve në të gjithë shtetet. Edhe këtë vit, shteti me konkurrencën më të lartë në botë u rendit Zvicra.