Asambleja e jashtezakonshme e Shoqates se Bashkive të vendit ka shkarkuar sot nga detyra si kryetare të saj Voltana Ademin.
Bëhet me dije se është zgjedhur si kryetar i ri i shoqatës së Bashkive, Pjerin Ndreu, kryetari i Bashkisë së Lezhës.
Sipas Ndreut ky vendim i sotëm është marrë për shkak se shoqata kishte dy vite që nuk funksiononte, dhe nuk ka asnjë lidhje me pretendimet e Ademit, e cila ka thënë se pas këtij veprimi fshihen interesat e socialistëve, për të tërhequr një padi për zgjedhjet e 2019 në Gjykatën Kushtetuese.
Pjesë nga fjala e Ndreut:
Në Asamble marrin pjesë kryetarët e bashkive, zgjodhëm ekipin drejtues të shoqatës e cila kishte dy vite që nuk mblidhej dhe nuk funksiononte. Kërkuam mbledhjen e jashtëzakonshme të asamblesë, u zgjodh kryesia e përbërë nga tre vetë, unë u zgjodha kryetar. Ne nuk merremi me fantazira, në shoqata aderojnë bashkitë dhe jo kryetarët, nuk ka të bëjë me emrin e kryetarit, nuk kanë të bëjë emrat.
Voltana Ademi nga ana e saj e ka ngritur shqetësimin e shkarkimit nga posti i kryetares së shoqatës së bashkive vazhdimisht, ndërsa refuzoi që të ishte e pranishme në mbledhjen e sotme që u mbajt në Lezhë.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës u ka shkruar dhe ambasadorëve në vendin tonë letër për veprimet e ndërmarra nga Ndreu dhe kryetarë të tjerë të bashkive socialiste.
Në emër të shoqatës së Bashkive ajo ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe për zgjedhjet e vitit 2019, të cilat u mbajtën për herë të parë në 30 vite pa opozitën.





