Një ditë pas debatit publik me Linda Rein në “Rudina” dhe pas zhurmës në rrjetet sociale që shkaktuan replikat Linda – Rudina për termin transgjinore, Rudina Magjistari, sapo ka nisur programin pasditen e sotme, ka dashur ta sqarojë për të gjithë publikun qëndrimin e saj dhe të programit që drejton.

Siç tha ajo në fillim të programit, të gjitha reagimet në rrjetet sociale pas intervistës së Lindës kanë qenë nga më të ndryshmet, por moderatorja e njohur theksoi se termi transgender nuk është një term diskriminues, por vetëm një përcaktim:

“Ajo që unë doja të thoja sot, është se fjala transgender nuk është diskriminuese, por është një përcaktim, ashtu siç është përcaktim edhe gay për një kategori njerëzish që janë të tillë”, – tha Rudina duke pranuar se akoma në shoqërinë tonë, një pjesë e këtyre përcaktimeve tingëllojnë tabu. Por programi i saj ka për qëllim t’u japë zë dhe të mbështesë të gjithë njerëzit që kanë një histori për të rrëfyer.

“Në programin tim ata do të mbështeten gjithmonë, sepse ata janë njerëz që vijnë me historitë e tyre personale. Unë gjithmonë kam mbështetur ata që kanë kurajën për të mbrojtur zgjedhjen e vet… dhe do ta bëj gjithmonë”, – e mbylli Rudina çështjen e shumëdiskutuar për termin, kryelajm gjatë këtyre 24 orëve të fundit.