Gjermania zgjodhi serish Angela Merkel si Kancelaren e saj në mandatin e katërt.
Rezultatet e para u pritën dhe në ambasadën gjermane në Tiranë, ku dhjetëra personalitete ishin mbledhur në oborrin e kësaj ambasade.
Menjëherë pas shpalljes se rezultateve paraprake, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, edhe pse e cilësoi të ndryshme tashme skenën politike, pas refuzimit të Social-Demokratëve për një koalicion te madh, garantoi se qasja ndaj Ballkanit dhe Shqipërisë nuk do të ndryshojë.
“Për sa i përket politikës së jashtme të Bashkimit Europian dhe te Gjermanisë unë në të ardhmen nuk pres, qoftë nga koalicioni që do krijohet, pra nuk pres zhvendosjen. Të gjitha forcat politike në Gjermani janë të të njëjtit zë. Ato janë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Evropë sikurse edhe të Shqipërisë”, u shpreh ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz.
E pyetur mbi rritjen e AfD dhe ndikimin e mundshëm te saj në politikën e jashtme të Gjermanisë, ajo u shpreh se pavarësisht rritjes së kësaj force anti-emigrant, kjo gjë nuk do te ndodh.
“Sigurisht AFD do përfaqësohet në Parlamentin gjerman me një grup të madh parlamentar, por nuk mendoj se do të ndikojë në politikat e qeverisë federale për sa i përket Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë”, tha ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz.