Mexhit Picari dhe Dhurata Saliaj kanë dalë sot në gjyq për vlerësimin e masës së sigurisë, pasi u arrestuan për vrasjen e Kudret Saliajt. Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Mexhit Picarin dhe Dhruata Salian.

Babë e bijë qëndronin me kokën ulur në kafazin brenda sallës së gjyqit, teksa prisnin të niste seanca ndaj tyre. Dhurata Saliaj, u vu re teksa fshihte kokën pas supeve të të atit, që mos të fiksohej nga kamerat e pranishme në gjyq.

Mexhit Picari dhe Dhurata Saliaj akuzohen për vrasjen e Kudret Saliajt, ngjarje e ndodhur më 4 qershor në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës.

Nga të shtënat me armë ka mbetur i plagosur avokati i viktimës, Adriatik Cama, ndërsa çifti ishte në proces divorci.

Ndaj të arrestuarve janë ngritur akuzat për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, ”Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” e kryer në bashkëpunim, ”Vrasja në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.