Sot në Durrës është organizuar Dita pa Makina, si bashkëpunim i Bashkisë së Durrësit me Drejtorinë Rajonale Arsimore, Shoqatën “Udhëtimi i Lirë” dhe Bicycle Durrës, në kuadër të JAVËS EVROPIANE TË LËVIZSHMËRISË.
Gjatë kësaj dite janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, ku morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të Rrjetit të Informimit të BE-së në Shqipëri (EU Info Center) nxënës dhe mësues të shkollave 9-vjeçare, shkollave të mesme etj.
Kështu, në kuadër të Ditës pa Makina, Bashkia Durrës në bashkëpunim me Rrjetin e Informimit të BE-së në Shqipëri dhe Shkollën e Mesme “Gjergj Kastrioti”, ka organizuar një pedalim me nxënësit e kësaj shkolle me qëllim promovimin e mënyrave alternative të lëvizjes në qytet. Ky pedalim, nisi nga shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti” dhe ka përfunduar në sheshin “Liria”, ku është bashkuar edhe Grupimi Qytetar “Bicyle Durrës”.
Dita pa Makina ka vijuar më tej me maratonën e vrapit me nxënësit e shkollave 9-vjeçare “Jusuf Puka, “Bedrie Bebeziqi” dhe “Shaqe Mazreku”. Kjo maratonë u organizua nga Bashkia Durrës në bashkëpunim me Shoqatën “Udhëtimi i Lirë”.
Me qëllim realizimin sa më me sukses të kësaj maratone, ka patur edhe kufizime të lëvizjes së makinave në akset rrugore: Mauzoleumi i Dëshmorëve (rruga “A. Goga”) – bulevardi “Epidam” – Torra Veneciane dhe bulevardi “Dyrrah” – rruga “Grigor Durrsaku”.
Në fund të maratonës, zëvendëskryetari i Bashkisë, Florian Tahiri, ka ndarë edhe çmimet për tri vendet e para fituese (vendi i parë shkolla “J. Puka”, vendi i dytë “B.Bebeziqi” dhe vendi i tretë po “B. Bebeziqi”). Gjithashtu, fituesit e tri vendeve të para morën edhe dhuratë simbolike nga përfaqësuesit e Rrjetit të Informimit të BE-së në Shqipëri
Së fundmi, gjatë kësaj dite është orgnizuar edhe një ekspozitë/konkurs lidhur me idenë më të mirë mbi Ditën pa Makina/Lëvizshmërinë e Qëndrueshme në qytet. Në këtë ekspozitë pati punime të ndryshme të nxënësve të shkollave të mesme dhe 9 vjeçare.
Në përfundim, përfaqësuesit e Bashkisë Durrës ndanë çmimet për fituesit e ekspozitës sipas kategorive të mëposhtme:
Posteri më i mirë (fituese u shpall shkolla “Gj. Kastrioti”),
Ideja më e mirë (fituese u shpall shkolla “Gj.Kastrioti”),
Moketi më i mirë (fitues u shpall shkolla “Jusuf Puka dhe shkolla jo Publike “Migjeni”), Kompozimi më i mirë (fituese u shpall shkolla “N. Frashëri”),
Vizatimi më i mirë (fituese u shpall shkolla “Gj. Kastrioti”),
Tematika më e mirë (fituese u shpall shkolla jo publike “Migjeni”) dhe
Punimi artistik më i mirë (fitues u shpall shkolla “B. Bebeziqi dhe “J. Puka”).
Për më tepër, në Ditën pa Makina, Bashkia Durrës ka mundësuar ofrimin e guidave nëpër qytet me makinat elektrike, të cilat ofrohen pa pagesë për të gjithë qytetarët.