Një memorandum bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Chieti-Pescara u nënshkrua më 4 qershor në Pescara të Italisë.
Kreu i Dhomës se Tregtisë Durrës, Alban Isteri dhe anëtari i kryesisë, Jonadri Prodani, administrator i kompanisë “Dyrrahsped”, u takuan të premten e javës së kaluar me një përfaqësi të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Chieti-Pescara.
Memorandumi i firmosur i hap rrugë implementimit të një serie iniciativash midis dy vendeve që synojnë intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimin brenda Makro Rajonit Adriatiko Jonian dhe në lidhje me sektorët e konsideruar strategjikë për politikën EUSAIR: dixhitalizim, infrastrukturë, ekonomia e gjelbër, agro-ushqimi dhe peshkimi, industria prodhuese, zejtaria, turizmi etj.
Marrëdhëniet tregtare mes Durrësit dhe Italisë kanë qenë gjithnjë të një rëndësie të veçantë, sidomos në 100 vitet e fundit.
Forcimi i tyre dhe rritja e shkëmbimeve tregtare mes bizneseve në Durrës dhe homologëve të tyre përtej Adriatikut shërben për të krijuar ura të mëtejshme bashkëpunimi tregtar sidomos në këtë periudhë kur ekonomitë e të dy vendeve vazhdojnë të vuajnë pasojat e shkaktuar nga pandemia COVID-19.





