Janë zbardhur dëshmitë e tre fëmijëve dhe vjerrës së Dhurata Saliajt, e akuzuar si bashkëpunëtore me të atin, Mexhit Picari, në vrasjen e bashkëshortit të saj, Kudrejt Saliaj.

Edhe pse ajo ka mohuar që të ketë ushtruar dhunë ndaj 3 fëmijëve të saj, dëshmitë e të miturve tregojnë të kundërtën.

Është zbuluar dosja e tetorit të 2020, kohë kur Dhurata doli në Gjykatë për akuzën e dhunës në familje, vajza e saj e ka deklaruar se e ëma i rrihte dhe i kërcënonte nëse do i tregonin babait të tyre.

VJEHRRA

Më 2 tetor 2020 vjehrra e 33-vjeçares S. Saliaj ka kallëzuar në organin e policisë se nusja e djalit të saj, e pandehura Dhurata Saliaj ka ushtruar dhe ushtron në mënyrë të vazhdueshme dhunë psikologjike ndaj saj dhe fëmijëve. “Më ka marrë disa herë në telefon dhe më ka kërcënuar duke më thënë ‘do të vras ty dhe mbesën e gocën’ e fjalë të tjera kërcënuese”, ka deklaruar nëna e viktimës Kudret Saliaj para policisë në tetor 2020.

VAJZA

E pyetur nga organi i policisë shtetasja F. Saliaj, vajza e mitur e të kallëzuarës, që gjatë dëshmisë 11-vjeçe ka deklaruar se ka dëgjuar mamanë e saj të kërcënonte gjyshen.

“Më datë 2 tetor 2020 rreth orës 12:00 po luaja me vëllain e vogël në lagje.

Erdhi babi dhe pasi hymë në shtëpi dëgjova që po i tregonte gjyshes se mami kishte folur me persona të ndryshëm. Ajo është shqetësuar dhe ka humbur ndjenjat. Në darkë kur po rrinim në shtëpi dëgjova mamin që telefonoi gjyshen dhe e kërcënoi me fjalë duke iu thënë se ‘do ju vendos njerëz nga prapa për t’ju vrarë’”, ka thënë vajza e 33-vjeçares në tetor 2020.

Gjithashtu ajo ka deklaruar para policisë se mamaja e saj ka rreth tre muaj që nuk sillet mirë me të vëllain e vogël i kanos me fjalë, e ka qëlluar në fytyrë, e ka pickuar, ndërsa vëllain e ka goditur në fytyrë dhe me bërryl në pjesën e sipërme të vetullës dhe më pas i ka thënë nëse i tregon babait do të hedh nga ballkoni.

DJALI I MADH

Nga policia është pyetur dhe djali i mitur i çiftit E. Saliaj që në kohën e denoncimit dhe marrjes në pyetje ka qenë 15 vjeç. Ai ka deklaruar se mamaja e tij nuk sillet mirë me të. “Më godet dhe më ka kërcënuar me fjalët do të vras, do të mbys me litar”, ka thënë ai.

“Si shkak të sjelljes së saj deklaron se ai ka parë disa mesazhe që ajo i dërgon personave të ndryshëm me përmbajtje: ‘o zemra ime, të dua shumë, kur do takohemi’, dhe për këtë shkak ajo sillet ashpër me të”.

MBESA E BURRIT

Është pyetur gjithashtu nga organi i policisë dhe shtetasja K. Saliaj (mbesa e Kudret Saliajt) e cila ka deklaruar se nusja e xhaxhait të saj në datën 02.10.2020 ndërsa ka qenë në banesën e gjyshes, këtë të fundit e ka telefonuar Dhurata dhe e ka kërcënuar me fjalë të tilla si do të ju vras, do të ju shuaj fare etj.

Ndërkohë nga akti mjekoligjor i bërë më 9 tetor të vitit të kaluar, në trupin e vajzës së Dhurata Saliajt janë konstatuar shenja të shkaktuara me mjetës mprehës.

Vetë 33-vjeçarja nuk është paraqitur në mjekësinë ligjore, ndërsa prokuroria e akuzoi për dhunë në familje.

Deklarime në polici kanë dhënë çifti Kudret dhe Dhurata Saliaj, babai i 33-vjeçares Mexhit Picari, dy fëmijët më të mëdhenj të çiftit dhe mbesa e Kudretit.