Aleksandar Vuçiç, deklaroi se gjatë muajit tetor do të nisë periudha e re e dialogut brenda vendit për çështjen e Kosovës, në varësi të marrëdhënieve me të cilën Serbia, sipas kreut të saj të shtetit, do të ketë një të ardhme më të sigurt.
Vuçiç i bëri komentet në Beograd, ku theksoi se ka mbështetur përfshirjen e “Listës Serbe” në qeverinë e Ramush Haradinajt, por ndaj vet këtij të fundit, të akuzuar për krime lufte nga Serbia, ai nuk ka ndryshuar qëndrim.
“Nga tetori fillon periudha e re e dialogut që duhet të jetë i institucionalizuar dhe të ketë këshillime të gjera. Do të publikohet një raport mbi bisedimet me Kosovën, ku do të përfshihen rezultatet e 3 viteve të fundit, si dhe të gjitha veprimet që ka bërë Serbia rreth çështjes së Kosovës që nga viti 1998. Kur të kaloni nëpër të, do të mund të shihni sesa e ndërlikuar është historia jonë bashkëkohore, e sa gabime ka aty”, thotë Aleksandar Vuçiç, president i Serbisë.
Sipas kreut të shtetit serb, qasja e tij ka bërë që gjërat të ndryshojnë për komunitetin serb të Kosovës. Majin e vitit 2015, Vuçiç – asokohe kryeministër i Serbisë, – kishte paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Prishtinës, që është kusht themelor në përpjekjet e Beogradit për integrim në Bashkimin Europian.
Ai tha asokohe për “Wall Street Journal” se është duke e shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë. Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e Kushtetutës serbe.