Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se Beogradi nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Ramush Haradinajt, por serbët e Kosovës do të marrin vetë, sipas tij, vendimin e tyre për tu bërë ose jo pjesë e qeverisë së re.
Këto komente, Vuçiç i bëri përpara takimit me deputetë të Listës Srpska, që pritet të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës në koalicion me PAN-in. Në emër të saj janë ndarë tashmë tre ministri, përfshirë atë të Bujqësisë, të premtuar fillimisht Aleancës Kosova e Re. Behgjet Pacolli vendosi të hiqte dorë prej saj në valën e negociatave të ethshme për arritjen e numrave në Kuvend, që do t’i hapnin rrugën zgjedhjes së kryetarit të ri të këtij institucioni, Kadri Veseli.
Kabineti qeverisës i Ramush Haradinajt duhet të votohet sot në Kuvendin e Kosovës, ku ekzekutivi i ri merr besimin për të qeverisur gjatë katër viteve të ardhshme. Emrat e ministrave nuk janë zyrtarizuar ende të gjithë, por shtypi vendas thotë se PDK ka propozuar në postin e zëvendëskryeministrit njeriun të cilit i ishin besuar në qeverinë e mëparshme frerët e demokracisë së Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ministrinë e Jashtme tanimë duket se do ta drejtojë Pacolli, i cili do të jetë po kështu edhe zëvendëskryeministër.
Partia e Fatmir Limajt do të marrë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale e të Arsimit.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës thirri sot në orën 16.00 një seancë të jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës zgjedhjen e Qeverisë. Nuk përjashtohet mundësia që seanca sidoqoftë të zvarritet, të paktën për disa orë sepse deputetët e Listës Serbe mund të mos mbërrijnë në kohë. /Top Channel