Zbardhet identiteti i dy të arrestuarve për grabitjen e sajuar në Durrës, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në një pikë karburanti në Fllakë.

Në pranga për ngjarjen kanë përfunduar shtetasit Gert Farruku, 23 vjeç, menaxheri i karburantit; Arsid Haxhija, 22 vjeç, pronari i lokalit që organizonte lotari të palejuara, ku dyshohet se Farruku ka humbur shuma të mëdha parash duke luajtur loto.

Burimet zyrate njoftuan më herët se në vijim të hetimeve ka rezultuar se shtetasi Gert Farruku, për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi.

Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, ky shtetas e ka luajtur në lotari të palejuara në lokalin e shtetasit Arsid Haxhija, i cili ka përfituar shuma të mëdha parash nga Farruku, ky i fundit organizoi vjedhjen për të larë borxhet që ka patur në loto. 

Nga ana e grupit hetimor vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” në ngarkim të shtetasit Gerti Farruku, dhe “Organizimi i lotarive të palejuara” në ngarkim të shtetasit Arsid Haxhija.