Që nga e premtja janë anuluar të gjitha nisjet në relacionin Prishtinë – Beograd. Vendimi është ndërmarrë pas raportimeve për ikjen e qytetarëve jashtë vendit përmes rrugëve ilegale Serbi-Hungari. Ndërkohë që Kosova po përballet edhe me migrim legal.

Ikja e qytetarëve kosovarë jashtë vendit përmes linjës së autobusëve për në Beograd, që kanë për synim më pas Hungarinë që të depërtojnë në njërin nga vendet e BE-së, ka çuar në anulimin e kësaj linje.

Menaxhmenti i Stacionit të Autobusëve ka njoftuar të premten qytetarët se janë anuluar të gjitha nisjet në relacionin Prishtinë – Beograd. 

“Ky vendim ka ardhur pasi individë të papërgjegjshëm së fundi kanë blerë bileta dhe gjatë rrugës kanë kërkuar të zbresin nga autobusi”, thuhet në njoftimin dërguar medieve.

Anulimi i nisjeve për relacionin Prishtinë-Beograd do të zgjasë deri në një njoftim të radhës.

“Menaxhmenti i NPL ‘Stacioni i Autobusëve’ SHA, Prishtinë, në koordinim me kompanitë e licencuara nga MI-ja (Ministria e Infrastrukturës) për bartjen e udhëtarëve njofton të gjithë qytetarët dhe të interesuarit e tjerë se anulohen të gjitha nisjet në relacionin Prishtinë – Beograd”, thuhet me gjerësisht në njoftim ku arsyetohet se vendimi është marrë për shkak të gjendjes së krijuar dhe sjelljeve të papërgjegjshme të disa individëve (të cilët blejnë bileta, futen në autobusë dhe gjatë rrugës kërkojnë të zbresin ose nuk futen fare në autobus) që krijojnë situata joserioze, shkaktojnë çrregullim, krijojnë edhe humbje për operatorët transportues.  

Gjatë ditës edhe mandatari për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka apeluar se rinia e vendit perspektivën dhe ardhmërinë e saj e ka në Kosovë dhe jo në rrugë tjera.

“Neve na thuhet se do të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian (BE) pas sa vjetësh. Unë mendoj se Kosova nuk shkon në BE, por këtu bëhet BE. Ne e bëjmë atë. Është e mirëseardhur asistenca dhe përkrahja e BE-së”, ka theksuar Haradinaj pas një takimi që ka pasur me kreun e Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës (KREK)