Pak ditë më parë lajmi se Kate Middelton dhe princi William do të bëheshin prindër për herë të tretë, u përhap në të gjithë botën. Që në fillim, u përfol se kjo shtatzëni do jetë po aq problematike për dukeshën sa dy të parat.
Kensington Palace konfirmoi se dukesha e Kembrixhit po vuan përsëri nga hyperemesis gravidarum, forma e rëndë e sëmundjes së mëngjesit që shoqërohet me të përziera dhe të vjellja,gjendje që e ka përjetuar edhe gjatë dy shtatzënive.
Sipas një deklarate nga Kensington Palace ajo është duke marrë kujdesin e duhur këtë herë në shtëpi.
Hyperemesis gravidarum, është një gjendje e rrallë e cila shkakton të vjella jo vetëm në mëngjes si zakonisht por gjatë gjithë ditës. Kjo sëmundje prek vetëm 1% deri në 2% të grave shtatzëna dhe mund të çojë në humbje peshe, dehidratim, dhe dëmtime të veshkave dhe mëlçisë.
Megjithëse gjendja është e kurueshme, mund të kërkojë edhe ndërprerjen e shtatzënisë dhe mund të bëhet kërcënuese për jetën.