Fëmijët e komunitetit rom i përfitojnë kompletet e librave falas, por ky udhëzim i Ministrisë së Arsimit nuk zgjidh aspak problemin e madh me të cilin ndeshen nxënësit e arsimit të detyrueshëm në Durrës. Një numër i madh familjesh nuk kanë mundësi të blejnë librave me para në dorë, duke bërë që të vihen në dilemë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, nëse do t’i dërgojnë apo jo në shkollë.
Problemi është edhe më i theksuar në zonën informale të ish-Kënetës. Drejtoresha e kësaj shkolle, Pashke Marku, thotë se 60 fëmijë janë përfshirë në listat e kategorive që u rimbursohen librat nga shteti, nga rreth 900 nxënës që ka kjo shkollë. Problemi qëndron tek numri i fëmijëve që duhet të përfitojnë librat falas. Si rezultat i problemeve ekonomike e sociale që kanë familjet e kësaj zone shumë familje nuk janë të përfshira në kategoritë përfituese.
“Falas i marrin fëmijët e komunitetit egjiptian. Të tjerët duhet t’i marrin me lekë në dorë dhe i rimburson Drejtoria Arsimore më vonë. Ndoshta, vitin e ardhshëm, Ministria e Arsimit do vendosë t’i marrin falas, sepse këto familje nuk kanë të ardhura apo para në dorë për t’i blerë fëmijëve librat pavarësisht rimbursimit të tyre gjatë muajve të ardhshëm”, thotë drejtoresha e shkollës.
Sipas saj, nevojat për ndihmë janë shumë të mëdha për fëmijët e familjeve të vendosura në zonën e ish-kënetës. Ajo thotë se në bashkëpunim me shoqatat jo qeveritare kjo shkollë ka arritur që të sigurojë falas edhe një sasi çantash.
K.H.