Mbi 500 nxënës që studiojnë tek shkolla 9-vjeçare “Hajdar Dushi” në Durrës dhe prindërit e tyre janë duke pritur me padurim nisjen e procesit mësimor.
Por dera e shkollës që gjendet tek lagjja e re është e zënë nga shufrat e hekurit dhe një tog i madh me pllaka trotuari e materiale të tjera ndërtimi.
Bashkia e Durrësit ka akorduar rreth 13,5 milionë lekë, për rikonstruksionin e dy segmenteve në këtë zonë, “Ibrahim Buzhiqit” e “17 Janarit”.
Por nga pamjet e bëra prej operatorit të DurrësLajm shikohet qartë që punimet janë lënë në mes, ose janë duke u zvarritur nga firmat fituese të tenderit.
Para derës së shkollës gjenden shufrat e hekurit që duhet të ishin shtrirë në tokë, ndërsa pllakat e trotuarit kanë mbetur në mes, pikërisht para derës së shkollës. E gjthë rruga, punimet e së cilës nisën para zgjedhjeve të 25 qershorit, është mbuluar nga pluhuri e nga gropat.
Një rrugë e tillë i pret vogëlushet të kalojnë në të nëse firma zbatuese e projektit nuk realizon në kohë punimet, të cilat duhet të ishin mbyllur sipas afateve të vendosura në tabelë.
K.H.