Ditë e madhe kjo e sotmja për Dom Gjergj Metën! Duke nisur nga sot, Dioqeza e Rrëshenit (Mirditë, Mat, Bulqizë, Peshkopi) do të ketë, Mons. Gjergj Metën si Ipeshkëv.
Dy muaj pasi Papa Françesku e emëroi Ipeshkv të ri të Rrëshenit, deri tani, vikar i përgjithshëm i kryedioqezës Tiranë-Durrës, sot u mbajt në Mirditë ceremonia e shugurimit të Dom Gjergj Metës. Një vlerë e rëndësishme e komunitetit katolik, por edhe e gjithë shoqërisë tonë që me urtësinë, mençurinë dhe dashurinë e tij, na jep leksione të rëndësishme për jetën, për të dashur e respektuar njëri-tjetrin dhe për të mbrojtur e përkrahur të varfrit.
Papa Françesku pasi pranoi dorëheqjen e Shkëlqesisë së Tij, imzot Cristoforo Palmieri, nga detyra e qeverisjes baritore të dioqezës së Rrëshenit, emëroi Ipeshkëv të ri të Rrëshenit, imzot Gjergj Metën.
Po ashtu, Ati i Shenjtë emëroi atë Giovanni Peragine ipeshkv të Administraturës Apostolike të Shqipërisë së Jugut dhe don Simon Kullin, ipeshkv të ri të Sapës.
Urojmë që Zoti ta ndriçojë në rrugëtimin e tij të shenjtë Dom Gjergj Metën!