Qindra besimtarë myslimanë në Durrës kanë nisur që në orët e para të mëngjesit kremtimin e Kurban Bajramit. Ata i janë drejtuar xhamisë së qytetit ku kanë kryer ritin e faljes së mëngjesit duke shkëmbyer mesazhet e dashurisë vëllazërore e të mirëqenies në çdo familje. Shkallët dhe xhamia janë mbushur plot me besimtarë të të gjitha moshave.

Sipas zakonit, besimtarët kanë prerë kurban e një pjesë ua kanë shpërndarë njerëzve në nevojë, ndërsa në orët e para të ditës shtrojnë drekën e kësaj feste me të gjithë miqtë dhe familjarët.

Kurban Bajrami është festa e sakrificës, solidaritetit, humanizmit si dhe harmonisë, ku të gjithë festojmë këtë ditë të shënuar që na kujton vlerat më të mira që karakterizojnë njerëzimin por edhe traditën e shkëlqyer të harmonisë fetare dhe njerëzore në qytetin tonë por edhe në të gjithë vendin.

Kjo festë e madhe e besimtarëve myslimanë në Durrës të cilët përfaqësojnë rreth 70% të popullsisë, kremtohet edhe nga qytetarë të besimeve të tjera.

Prej vitesh festat fetare në Durrës janë kthyer në një gëzim për të gjithë qytetarët e të tria feve të cilët i kremtojnë së bashku festat.