Në Itali prej datës 17 gusht 2017 ka hyrë në zbatim një normativë e re për emigrantët që paraqesin kërkesën për bashkim familjar me të afërmit që ndodhen në vendin e tyre të origjinës.

Dekreti legjislativ 286/98 i Ministrisë së Brendshme italiane, i cili ka modifikuar ligjin 46 të datës 13/04/2017 vendos që procedura për bashkim familjar për të gjithë emigrantët me leje të rregullt qëndrimi në Itali të jetë e tëra dixhitale.

Formulari i kërkesës për bashkim familjar duhet të plotësohet e të prezantohet vetëm online pranë Sportelit të Emigracionit në prefekturat e vendeve të banimit të emigrantëve. Gjithashtu dhe dokumentacioni i duhur për të përmbushur këtë kërkesë duhet të bashkëlidhet po online në formatet PDF, JPEG, TIFF.

Kjo risi e Ministrisë së Brendshme italiane synon verifikimin sa më objektiv të kërkesës së emigrantëve si zbatimin sa më korrekt të kohës administrative prej 90 ditësh për marrjen e përgjigjes.

Sipas të dhënave të Institutit italian të statistikave deri më 1 janar të 2017-s në territorin italian jetojnë 448.407 emigrantë të rregullt shqiptarë, rreth 4.1 % më pak se një vit më parë, fakt i shpjegueshëm për shkak të rritjes së numrit të emigrantëve shqiptarë që marrin nënshtetësinë italiane.

Shqiptarët janë gjithashtu komuniteti i tretë në numër ndër ato jo evropiane që marrin leje të rregullt qëndrimi në Itali për motive familjare.

/Ora News/