Tashmë, ky ka qenë një vit i madh për Lionel Messin dhe gruan e tij, Antonnella Roccuzzo. Pas dasmës së tyre në qershor, ata kanë marrë një tjetër lajm shumë të mirë për ta. Sipas gazetës spanjolle “AS”, çifti i lumtur tani po pret fëmijën e tretë së bashku, me gjini (djalë apo vajzë) ende të panjohur. Messi dhe Roccuzzo janë tashmë prindër krenarë të Mateos 1-vjeçar dhe Thiago 4-vjeçar. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” u martua me të dashurën e tij të fëmijërisë në fund të qershorit, në një ceremoni luksoze argjentinase, në të cilën morën pjesë më shumë se 250 persona.
Pas dasmës së tyre të verës në qytetin e Rosarios, ata shkuan në një muaj mjalti romantik në Antigua dhe Barbuda për të festuar ditën e tyre të madhe. Dhe më pas, ata marrin lajmin se do të bëhen prindër për të tretën herë. Ky lajm vjen në të njëjtën ditë kur Messi dhe shokët e tij të Barcelonës do të mësojnë se me cilët kundërshtarë do të përballen në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, Messi & Co po përgatiten për ndeshjen e tyre të La Liga-s, që do ta luajnë kundër Alaves, në transfertë, të shtunës në mbrëmje.