Serbia pretendon se shërbimet e inteligjencës së Maqedonisë kanë përgjuar diplomatët e saj, por edhe ish-kryeministrin Aleksandër Vuçiç e shefin e diplomacisë Ivica Daçiç.
Sipas tyre, në misionin e përgjimit janë përfshirë edhe fuqitë e jashtme. Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç ka thënë se personalisht nuk i trembet përgjimeve, megjithatë ka shtuar se përgjimi i telefonave nuk është normal, për arsye se Serbia ka mbajtur një qëndrim mbrojtës ndaj Maqedonisë.
Akuzat janë mohuar nga homologu i Daçiçit, Nikolla Dimitrov. Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç kërcënoi edhe një herë me mosnjohjen e emrit kushtetues të Maqedonisë, nëse vendi do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në UNESO.
Për të diskutuar për zhvillimet e fundit mes dy vendeve presidenti serb Vuçiç sot pritet të realizojë bisedë telefonike me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev, ndërsa një bisedë telefonike do të realizojnë edhe dy ministrat e jashtëm Daçiç dhe Dimitrov.
Raportet mes dy vendeve u tensionuan dy vite më parë kur Maqedonia kishte mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESKO, për të vazhduar më pas me përfshirjen e një agjenti serb në protestat e dhunshme në Kuvend më 27 prill.