Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në vazhdim të garës për rikonfirmimin në krye të PD-së, ka zhvilluar takime me demokratët e Durrësit, Krujës dhe Fushë Krujës. Në Durrës, duke folur për 25 prillin, Basha ka renditur të gjitha arsyet që çuan në humbjen e PD në zgjedhje.
“25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, njësoj si në 31 marsin e largët të vitit 1991, këto ishin zgjedhje pa zgjidhje. Dhe kjo për shkak të shtetit të bërë njësh me partinë dhe të partisë të bërë njësh me shtetin. Kjo për shkak të krimit të organizuar, të futur në çdo qelizë të shtetit dhe të aktivizuar e riaktivizuar për herë të dytë në Durrës. Në Durrësin e 339 që akoma mban peng negociatat dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Kjo për shkak të mizorisë, të poshtërsisë, të harbutërisë të një kundërshtari që nuk ka respekt për pluralizmin dhe e konsideron kundërshtarin politik si një armik.
25 prilli njësoj si në ‘91 pa përballë dy palë. Nga njëra anë jo Partia Socialiste, sepse nuk janë socialistet e Durrësit ata që vendosën Ilir Ndraxhin, Jurgen Çyrben, Rrahman Rrajen e Lefter Kokën me shokë në listën e kandidatëve, siç e dimë fare mirë socialistët e Durrësit dhe ne kundërshtarët e tyre. Ne nuk kishim përballë një parti qoftë kjo edhe në pushtet, por një shtet të vënë në shërbim të një bande politiko-oligarkiko-kriminale. Dhe nga ana tjetër kishim Partinë Demokratike njësoj si në ‘91, pa asnjë instrument pushteti, me përjashtim të pushtetit më të madh që na fal Zoti, që është pushteti i zemrave të kulluara të demokrateve, është pushteti moral, është pushteti i qëllimeve tona të drejta, është pushteti i vizionit tonë, i programit tonë për Shqipërinë, për shqiptarët, për Durrësin dhe për durrsakët.
Me këto instrumente zbritën palët në këtë betejë nga njëra anë një regjim i kompromentuar në palcën e krimit, me kriminel në krah, me njerëzit e dosjeve. Nga ana tjetër ekipi ynë me njerëz të sprovuar, me qëndrestarë, me intelektual, me përfaqësues të betejave tona ligjore dhe parlamentare, me njerëz të sprovuar të qëndresës ndër vite, ai me thesin e hapur si asnjëherë tjetër, as në 2001 dhe as në 2005 të buxhetit të masakruar të parave të shqiptarëve, i cili javën e fundit u derdh lumë mbi fatkeqit e tërmetit të cilëve pa asnjë transparencë dhe jo në bazë të vlerësimeve të drejta, ju ofruan në shkëmbim të votës 89 herë më shumë para në 5 ditët e fundit të fushatës sesa 15 muaj që i lanë në pikë të hallit. Legalizime për vota, ndërtime pa leje për vota, hashash për vota, punësime e shpunësime për vota.”,– tha Basha në Durrës.





