Dhurata Saliaj, e cila u arrestua ditën e djeshme si bashkëpunëtore në vrasjen e Kudret Saliajt ka dëshmuar para autoriteteve policore mbi ngjarjen e rëndë.
33-vjeçarja ka deklaruar se ish-bashkëshorti i kërcënonte vazhdimisht se do ta vriste, duke shtuar se ai i shkonte edhe te familja e prindërve.
“Marrëdheniet me Kudretin i kishim shumë të acaruara. Sa herë unë tentoja të kontaktoja me fëmijët, ai vinte te puna e babit ose në shtëpi dhe na kërcënonte dhe thoshte se do më vriste.
Rasti më i fundit ka qenë para 3 ose 4 ditësh që erdhi në shtëpi në Picar dhe na kërcënoi si familje. Kur vinte në shtëpi, shumicën e herëve i dilte mami dhe përballej me të se mua kishin frikë të më nxirnin. Para 1 muaji, mami ka marrë urdhër mbrojtje nga ai për 1 vit.
Familja ime ka jetuar nën presion kaq muaj. Kam shkuar me babain tek gjykata dhe ja kam bërë të qartë Kudretit se unë fëmijët nuk i lë. Doja të takoja djalin, t’i flisja. Aty ndodhi ngjarja”, ka thënë e reja para hetuesve për ish-bashkëshortin.





