Shinat e trenit kalojnë në brendësi të zonës së banuar në lagjen nr.13 e pavarësisht këtij fakti siguria për qytetarët nuk është në nivelin e duhur.
Në secilin kalim të improvizuar mbi shina nuk gjen asnjë tabelë paralajmëruese për kalimin e trenit apo roje, por sheh vetëm banorë të cilët kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin mes për mes shinave të trenit.
Të vetëdijshëm për rrezikun që iu kanoset, ata janë të detyruar të ecin në kushte të tilla. Ndërkohë në njërën nga ndalesat, ndonëse tabela lexohet mjaft qartë sërish mungon roja dhe trau i sigurisë.
Kjo situatë është kthyer në problem për banorët të cilët shprehen se ndihen të rrezikuar e marrja e masave për parandalimin e situatave me fund tragjik është tejet e domosdoshme
Zona e plazhit, sidomos në kohën e sezonit turistik, popullohet nga një numër shumë i lartë pushuesish ndaj edhe nevoja e plotësimit të kushteve të sigurisë për banorët duhet të jetë më e lartë.